Lajme & Evente

15 Qershor 2009

Rinis prodhimi në ish-Ballkanin e Suharekës


Pas 20 vjetësh, kompania “Newco Balkan”, ish-Fabrika e Gomës “Ballkani” në Suharekë, riaktivizoi njërin nga repartet më të rëndësishme, atë për prodhimin e shiritave transportues me korda çeliku.

Sipas drejtuesve të kompanisë, prodhimi i këtij produkti për të cilin ka kërkesa të theksuara në tregun botëror krijon mundësi për hapje të reja të vendeve të punës.

Pas privatizimit më 2005, ish-fabrika e gomës dhe kimike “Ballkan” në Suharekë rifilloi prodhimin me emrin e ri “Newco Balkan”. Ky gjigant i dikurshëm i ekonomisë në rajonin e Prizrenit është privatizuar me “spin of special” nga një investitor turk, kundrejt çmimit prej 1.5 milion euro dhe kushtit për investim në të 6 milionë euro. Kriter gjatë privatizimit ka qenë po ashtu edhe punësimi i së paku 375 punëtorëve.

Drejtuesit aktualë të kompanisë e vlerësojnë si të suksesshme dhe me trend pozitiv punën katërvjeçare të kompanisë.

Muhamet Shala, menaxher i përgjithshëm tha për KosovaLive se këtë e dëshmon edhe suksesi më i ri, për aktivizimin e njërit nga repartet më të rëndësishme të kompanisë, që plason shirita me korda çeliku, të cilat nuk prodhohen në asnjërin nga vendet ballkanike, përderisa kërkesat në tregun botëror janë të shumta.

“Riaktivizimi është bërë pasi ky repart punën promovuese e ka kryer në vitin 1990, por më pas puna është pezulluar për shkak të aplikimit të masave të dhunshme nga ish-regjimi serb. Pas lufte është punuar shumë për riaftësim, meqenëse vlera e këtij reparti arrin deri në 10 milionë euro”, tha ai.

Shala pohoi se sapo është bërë transporti i parë i këtij produkt për në firmën bullgare “Balkan consult commerce”, me të cilën “Ballkani” ka kontratë në vlerë prej 1.6 milionë euro.

Shala tha se për këtë produkt ka edhe disa kontrata me kompani tjera, ndërsa vlera e tyre arrin deri në 5 milionë euro.

Reshat Berisha, inxhinier për mirëmbajtje teknike, tha se prodhimet e para dëshmojnë për produkte të një cilësie të lartë, për të cilën ka kërkesa në treg, ndërsa deri tash janë prodhuar vetëm shirita me fije tekstili.

Bajram Gashi, kryepunëtor i repartit, ndërkaq i është gëzuar rifillimit të punës në këtë repart, të cilin e sheh si një perspektive të mirë ekonomike, pasi kërkesat e tregut krijojnë mundësi të reja për hapjen e vendeve të reja të punës.

Sipas drejtuesve të kompanisë, aktualisht në këtë fabrikë punojnë 380 punëtorë aktivë.
Menaxheri Shala tha se pas privatizimit qarkullimi vjetor është rritur vazhdimisht, ndërsa gjatë vitit të kaluar arriti deri në 9 milionë euro, ndërsa 70 për qind e prodhimit është e destinuar kryesisht në eksport.

Sipas tij, gjatë këtij viti qarkullimi ka arritur në 5 milionë euro, ndërsa 68 për qind ka qenë në eksport. “Një pjesë e madhe e eksportit bëhet në tregun e BE-së në të cilin konkurrenca është e fortë, kryesisht në Holandë, Gjermani, Finlandë, pastaj në Turqi, Bosnjë, Shqipëri dhe Maqedoni, etj”, tha Shala.

Në kohët më të arta, gjegjësisht në vitin 1985 në “Ballkan” kanë punuar rreth 1.600 punëtorë aktivë, ndërsa qarkullimi vjetor ka arritur deri në 50 milionë dollarë. Sa i përket furnizimit me shirita transportues, atëkohë kjo fabrikë ka mbuluar rreth 90 për qind të nevojave të tregut të ish-Jugosllavisë.

Sidoqoftë prodhimet cilësore dhe kërkesat e tregut hapin perspektivë që “Ballkani” jo vetëm ta rikthejë, por edhe ta zgjerojë namin e dikurshëm.

Gazeta Express
<< prapa