Lajme & Evente

13 Shtator 2007

Fillon prodhimin Ferronikeli


Prishtinë, 12 shtator — Kur Ferronikeli ishte në procesin e privatizimit, çmimi i një ton nikeli në bursën ndërkombëtare ishte i papërfillshëm, sillej madje deri në 7000 dollarë për ton. Por me t'u privatizuar ky gjigant industrial, befasisht filloi edhe rritja e çmimit të nikelit, bashkazi me metalet tjera. Nikeli në ditët e sotme kushton 49,000 dollarë për ton. Rritja enorme e çmimit të nikelit kishte detyruar pronarët e rinj të Ferronikelit të anashkalonin premtimet e privatizimit nëpërmes spin off-it special. Por, kësaj radhe për të mirë. Atë që Alferon është dashur ta bëjë për tri vite, e ka bërë për një kohë përgjysmë më të shkurtër. Ka investuar 25 milionë euro, ndërsa është arritur edhe shifra prej 1000 punëtorëve. Fabrika e Ferronikelit të mërkurën ka ndezur turbinat, pas shumë vitesh heshtjeje. Doctor Citat, kryeshef i ekzekutivit të Ferronikelit, tha së kompania Al Feron i ka përmbushur të gjitha obligimet që i ka pasur deri tani ndaj Feronikelit.

"Sot jam krenar të them se i kemi përmbushur të gjitha premtimet që i kemi dhënë qeverisë së këtij vendi me kontratën tonë. Obligimi jonë në fillim ka qenë rreth 25 milionë euro për investim për këtë rigjallërim, ndërsa kur të lëshohet linja e dytë më 1 janar, ne do t'i kemi të investuara diku rreth 57 milionë euro. Po ashtu, kemi premtuar se do t'i punësojmë 1000 persona dhe e kemi përmbushur këtë premtim", tha Citat. Sipas tij, nuk ka qenë edhe detyrë e lehtë të kthehet në prodhim pas kaq vitesh Ferronikeli. Pas linjës se parë që ka filluar punën me sukses, pritet të fillojë punën më 1 janar edhe linja e dytë. "Mendoj se ka qenë një vendim i mbarë që na keni gjetur neve të kontraktohemi për ta ngritur këtë stabiliment. Këtu nuk jemi për argëtim, nuk kemi ardhur për qejf, kemi ardhur këtu të bëjmë para dhe të bëjmë fitim dhe ne mendojmë se do të fillojmë shumë shpejt edhe me linjën e dytë, pra më 1 janar", tha ai. Sipas shefit të shtyllës IV të UNMIK-ut, Paul Acda, Alferon do të mund të gjenerojë deri në 500 milionë dollarë në vit.

Në kohen e privatizimit të Ferronikelit, kryeadministratori aktual i Kosovës, Joachim Ruecker, ishte udhëheqës i shtyllës IV të UNMIK-ut, ishte i kyçur direkt në këtë proces. Tani në një pozitë tjetër, Ruecker tha së ringjallja Ferronikelit dhe fillimi i prodhimit është një ëndërr që është bërë realitet. Ai tha se më e rëndësishmja është që të ketë punësim dhe rritje të zhvillimit ekonomik.

"Për neve kjo është më e rëndësishmja, që të ketë punësim, rritje ekonomike, po ashtu të ketë punë në gjithë këtë rajon. Dhe, më të vërtet shpresoj që edhe produktet e Feronikelit do të ofrojnë atë që quhet balancë tregtar, sepse e dimë që balanca tregtare në Kosovë nuk është aq e mirë. Ashtu siç kemi parë një rritje të çelikut të karbonizuar nga Llamkosi, tani shpresojmë që do të shohim një rritje të produkteve të Ferronikelit këtu", tha Ruecker.

Në mënyrë të përzemërt, Ruecker u uroi mirëseardhje të gjithë punëtorëve, atyre që kanë qenë dhe këtyre që janë tash, që, sipas tij, kanë dhënë shumë për t'u ringjallur Ferronikeli. Në fillimet e procesit të privatizimit kishe shumë kundërshti nga shumë institucione tona rreth këtij procesi sikurse ka edhe sot. Edhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaqi, lavdëroi punëtorët dhe investitorin e huaj që e ka sjellë në gjendje shumë të mirë Ferronikelin. Sipas Thaçit, investimi që është bërë ne Ferronikel mbetet ndër investimet me kapitale në Kosovë. Ai vlerësoi se ky investim do të jetë një impuls shtesë edhe për investitorët tjerë. "Dua t'i përgëzoj investitorët, së investimi këtu në Ferronikel është investimi më kapital në Kosovë. Jam i sigurit se kjo storie e suksesshme në Drenas do të jetë impuls dhe siguri për investitorët tjerë që vijnë për të investuar në Kosovë. Pra, për ne të gjithë është shumë me rëndësi që të ketë siguri për të investuar dhe kjo siguri ekziston", shtoi Thaçi.

Bujar Dugolli, ministër i Tregtisë dhe Industrisë, tha se fillimi i prodhimit të Ferronikelit është një tregim i suksesshëm për procesin e privatizimit. Sipas tij, është për t'u përshëndetur guximi i investitorëve të huaj, ende pa u definuar statusi i Kosovës. "Ne shembuj të tillë do të kemi edhe më shumë në Kosovën e pavarur. Në emër të qeverisë së Kosovës, por edhe në emër të Bordit të AKM-së uroj suksese në fillimin e prodhimit të Ferronikelit. I uroj, po ashtu, Drenicës si rajoni më i pazhvilluar që ka qenë dikur, por nuk do të jetë më", tha ai. Ndërsa njeriu i cili u lavdërua për bashkëpunim të mirë të tij me investitorët e privatizimit të Ferronikelit ishte kryetari i Komunës se Drenasit, Sherif Krasniqi. Krasniqi gjatë kohës së punimeve të Alferonit kishte mundësuar shumë lehtësira për ta. Ai premtoi se Kuvendi Komunal edhe me tutje është i gatshëm për bashkëpunim të sinqertë dhe konstruktiv.

"Fillimi i prodhimit të Ferronikelit është interes mbi të gjitha i qytetarëve të Drenasit, interes i Kuvendit Komunal dhe i Kosovës në përgjithësi. Dhe, ky bashkëpunim nuk do të mungojë asnjëherë", tha Krasniqi. Pas hyrjes në prodhim të linjës së parë, shumë shpejt pritet të fillojë prodhimin edhe linja e dytë e Ferronikelit, dhe kjo, sipas zyrtarëve të Alferonit do të ndodhë më 1 janar të 2008-ës. Ndërsa, deri atëherë, kjo kompani do t'i investojë aty rreth 57 milionë euro.

ECIKS / Gazeta Express
<< prapa