Lajme & Evente

31 Gusht 2015

Tregu i konsulencës në Kosovë

Profesioni i konsulentit në Kosovë ende gëzon njohje të ulët. Kërkesa për konsulencë biznesi mbetet po ashtu e ulët si pasojë e njohjes së pamjaftueshme të dobive që sjell ajo për sipërmarrësit dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM).

 

Programi i Kosovës për Promovimin e NVM-ve (KOSME) synon të trajtojë elementët thelbësorë që tregun e konsulencës për NVM-të në Kosovë ta bëjë të suksesshëm. Sipas Raportit për Vlerësimin e  Kapaciteteve të Konsulentëve të Biznesit në Kosovë (2013), shërbimet e konsulencës për biznese subvencionohen ndjeshëm nga skemat e mbështetjes publike dhe donatorët. Tregu i konsulencës në Kosovë përbëhet nga një diversitet i konsulentëve, të cilët mund të numërohen në qindra. Shumica e konsulentëve të anketuar thonë se ata kanë ushtruar si të pavarur profesionin e konsulentit për më shumë se pesë vjet, kryesisht në Prishtinë. Në mënyrë të veçantë, këshilltarët ofrojnë shërbime që lidhen me menaxhimin e përgjithshëm të biznesit apo trajnime të ndryshme të stafit, marketing dhe shitje, marrëdhënie me publikun dhe zhvillimin e kontakteve të biznesit dhe bashkëpunimeve me tregjet në Kosovë. Me një numër mesatar të mandateve prej 22 në vit, klientët janë zakonisht bizneset vendase që kanë nga 1 deri në 49 punonjës, por megjithatë një numër i konsiderueshëm i konsulentëve gjithashtu ofrojnë shërbimet e tyre jashtë vendit. Rreth gjysma e konsulentëve të anketuar gjejnë klientë në sektorët e përpunimit të ushqimit, pijeve dhe produkteve të duhanit, ndërsa një numër i konsiderueshëm i klientëve gjenden edhe në sektorin e arsimit dhe kualifikimit, hotelieri dhe restorante, si dhe në atë të IT-së. Numri tipik i ditëve të punës për shërbimet e konsulencës është dhjetë ditë me një normë mesatare ditore të tarifës prej € 120 euro.

Përmes ndihmës së vazhdueshme teknike, KOSME ka mundësuar jetësimin e Këshillit të Konsulentëve të Biznesit (BCC), institucioni i vetëm përfaqësues i interesave të konsulentëve të biznesit në Kosovë. Këtë vit BCC ka aplikuar për anëtarësim në Institutin ICMCI, i cili do t’ia hapë dyert BCC-së të kontribuojë në rritjen dhe mbajtjen e cilësisë së shërbimeve të konsulencës përmes ofrimit të certifikimit CMC për konsulentët lokalë.

Shtylla e dytë, ku KOSME është duke u ofruar ndihmë konsulentëve lokal është përmes Skemës së ri-themeluar dhe ri-organizuar Voucher të Këshillëdhënies (SVK) në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. SVK mbështet rritjen e NVM-ve, si kontribuesit kryesorë në krijimin e vendeve të punës dhe uljen e varfërisë. Skema e ri-themeluar është transparente dhe efikase përgjatë gjithë procesit menaxhes dhe administrativ. Ajo gjithashtu kontribuon në rritjen e mundësive për ekspertiza të reja për konsulentët dhe për të ndërtuar besimin mes konsulentëve dhe sipërmarrësve.

Profesionaizimi i SVK-së, ringjallja e Këshillit të Konsulentëve të Biznesit, si dhe akreditimi i ardhshëm në ICMCI, janë kontribues të qartë në sensibilizimin dhe rritjen e kërkesës për shërbimet e konsulencës së biznesit. Përmes mbështetjes në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të konsulencës, KOSME po kontribuon në promovimin e zhvillimit të sektorit privat të orientuar nga tregu, ndërkohë që forcon konkurrueshmërinë e NVM-ve të Kosovës në përputhje me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm.

Shkarko Raportin për Vlerësimin e  Kapaciteteve të Konsulentëve të Biznesit në Kosovë (2013) kapaciteteve të Konsulentëve të Biznesit në Kosovë (2013) 

<< prapa