Lajme & Evente

05 Shkurt 2013

Diaspora, faktori i tretë i zhvillimit në vend


Përkundër faktit që kriza globale ka kapluar një numër të madh të BE-së, ku jetojnë një numër mjaftë i madh i mërgimtarëve tanë, mërgata jonë vazhdon të jetë një nga kontribuuesit më të mëdhenj jo vetëm në ekonominë familjare, por edhe në buxhetin e Republikës së Kosovës. Mirëpo, shumica e këtyre të hyrave shfrytëzohen për konsum e nuk investohen në Kosovë.Kështu u tha në e raportin “Hulumtime dhe Analiza për tërheqjen e investimeve nga diaspora”, që u prezantua nga Instituti “Riinvest”, e i cili është realizuar me iniciativë dhe propozim të Ministrisë së Diasporës.


Në këtë tryezë u diskutuan arritjet e Qeverisë së Kosovës në krijimin e lehtësirave për investime nga diaspora, por edhe u venë në pah mangësitë legjislative dhe barrierat që po pengojnë investitorët e huaj, por edhe diasporën shqiptare që të investojnë në Kosovë.


Ministri i Diasporës ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë në krijimin e kushteve sa më të favorshme, në mënyrë që legjislacioni në Kosovë të jetë në pajtim me nevojat e zhvillimit të vendit dhe të jetë i atillë që të stimulohen dhe të joshen investimet në veçanti nga ana e diasporës.


Drejtori i Institutit “Riinvest” ka thënë se diaspora është faktori i tretë i zhvillimit ekonomik në vend, pas sektorit privat dhe shpenzimeve qeveritare, por ka shtuar se këto investime të diasporës po orientohen në vende jo të duhura.


Diaspora dërgon remitenca nëpërmjet disa kanaleve, duke përfshirë ato institucionale, si bankat komerciale dhe agjencitë për transferim të mjeteve, si dhe nëpërmjet kanaleve joinstitucionale.


/Koha /
<< prapa